Mbyllet numërimi i votave në Kosovë: Lëvizja Vetëvendosje 53 deputetë, opozita 47
Tashmë ka përfunduar numërimi i votave në Kosovë, për zgjedhjet e 7 qershorit.
LVV-ja, si subjekti i parë, ka marrë 382 mijë e 865 vota, rezultat që ia ka siguruar asaj 53 ulëse në Kuvend, ndërsa bashkërisht PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja 47 deputetë. Rezultati final i zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit është mësuar, pasi edhe numërimi i votave ka përfunduar.
Lëvizja Vetëvendosje si subjekti i parë, ka marrë 382 mijë e 865 vota ose 47.13 për qind të totalit, rezultat që ia ka siguruar asaj 53 ulëse në Kuvend.
Partia Demokratike ka fituar 157 mijë e 893 vota ose 19.44 për qind dhe siguroi 22 mandate.
Lidhja Demokratike ka marrë 135 mijë e 559 vota apo 16.69 për qind, që përkthehen në 18 ulëse.
Forcë e katërt ka dalë Aleanca, duke fituar 54 mijë e 731 ose 6.74 për qind që ia sigurojnë 7 ulëse në Kuvend.
Hapi i radhës në proces është auditimi, që nënkupton rinumërimin e 8 për qind të votave. Me këtë shpërndarje të mandateve, Lëvizja Vetëvendosje ka mundësinë ta formojë qeverinë pa pasur nevojë për koalicion me partitë e tjera shqiptare. Por, për zgjedhjen e presidentit, çështje për të cilën vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme, nevojitet marrëveshje ndërmjet partive politike, në dy raundet e para të votimit kërkohet pjesëmarrja në sallë e së paku 80 deputetëve.
Me 53 deputetët e Vetëvendosjes dhe me 10 deputetët e komuniteteve, duke përjashtuar ata të Listës Serbe, një marrëveshje me PDK-në do të siguronte 86 vota në Kuvend. Ky numër përputhet me qëndrimin e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, i cili gjatë përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit në prill kishte deklaruar se një kuorum prej 85 ose 86 deputetësh ofron siguri për një proces të suksesshëm.
Një marrëveshje me LDK-në do të siguronte 82 vota, vetëm dy më shumë se minimumi kushtetues prej 80 deputetësh që nevojitet për të konsumuar raundin e parë dhe të dytë të votimit për president. Më e vështirë është mundësia e formimit të qeverisë pa Vetëvendosjen. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja së bashku kanë 47 deputetë.
Për të siguruar shumicën prej 61 votash, atyre do t’u duheshin edhe 14 deputetë të tjerë, çka nënkupton se, përveç komuniteteve, do të nevojiteshin edhe votat e Listës Serbe. Ndonëse është përmbyllur numërimi, për t’u konstituuar Kuvendi duhet shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre. KQZ-ja kishte paraparë përfundimin e numërimit deri më 21 qershor, por procesi është mbyllur katër ditë më herët.
Nëse nuk paraqiten ankesa, shpallja e rezultateve përfundimtare mund të bëhet më 22 qershor, ndërsa certifikimi më 2 korrik.